Liverpooli në sezonin e ri do të niset me objektivin e rikthimit tek titulli kampion në Angli, por ‘Champions League’ do të mbetet gjithashtu prioritet, duke qenë se do të luajnë si kampionët në fuqi. Mirëpo rrugëtimi i ‘the reds’ në skenën europiane do të jetë akoma më i vështirë se sezoni i shkuar, duke qenë se shumë ekipe të mëdha të kontinentit janë përforcuar ndjeshëm. Real Madrid, Barcelona apo Juventus kanë hedhur kandidaturën e tyre për t’i shkuar deri në fund kompeticionit më të rëndësishëm për klube dhe për këtë mjafton të shohësh lëvizjet e tyre në merkato.
Manchester City dhe PSG gjithashtu nuk mbeten pas, që do të fokusojnë të gjithë forcat e tyre në ‘Champions League’. Por kampionët në fuqi të Europës nuk kanë bërë ndonjë lëvizje të madhe në merkato dhe trajneri Jurgen Klopp thotë se është i kënaqur me skuadrën që ka. Gjermani u shpreh se klubi i tij nuk mund të shpenzojë mbi 300 milionë euro çdo vit, siç kanë bërë skuadrat e tjera gjatë kësaj vere. Klopp pranoi se nuk kanë mundësitë ekonomike të disa skuadrave të tjera, por për të nuk ka justifikime, pasi ka një skuadër mëse të kompletuar dhe që i jep mundësi zgjidhjeje për çdo situatë të mundshme. Trajneri i ‘the reds’ beson tek forca e grupit që ka në dispozicion dhe thotë se tashmë lojtarët kanë mësuar shumë nga 2 sezonet e fundit, prandaj tek kampionët e Europës nuk ka presion.