Interi mund Atalantën, dominim rezultatesh ndaj skuadrës bergamaske

Sport

Interi mund Atalantën. Në javën e 29 të Serie A, zikaltërit mposhtën 2-0 në trasnfertë ekipin bergamask, falë golave të Carlos Augustos dhe Lautaro Martinez në pjesën e dytë. Në fakt, nëse në Itali ka një skuadër që mund të fitojë lehtësisht ndaj Atalantës është pikërisht Interi, qoftë në shtëpi, apo në transfertë.

Për ta vërtetuar këtë gjë, mjafton të përmendim që, duke filluar nga sezoni 2016/17, atëherë kur trajneri Gian Piero Gasperini mori drejtimin e bergamaskëve, Interi është pikërisht skuadra që i ka shkaktuar më shumë humbje Atalantës, duke dominuar tërësisht ndaj saj. Të 18 përballje, kampionët në fuqi të Italisë, kanë fituar 10 prej tyre, kanë barazuar 6 dhe janë mundur vetëm dy herë.

Kështu, Interi është ngjitur në kuotën e 64 pikëve në kampionat, 3 më tepër sesa Napoli i vendit të dytë. Kur deri në fund kanë mbetur edhe 9 javë të tjera për të luajtur, gara sigurisht që është e hapur, por skuadra e drejtuar nga Simone Inzaghi duket në rrugë të mbarë për të fituar titullin e 21 kampion në historinë e klubit.

Pas ndeshjes me Atalantën, timonieri Interit, u shpreh për mikrofonët, se përveç rezultatit, ai është i kënaqur me lojën e ekipit. Sa i përket titullit, Inzaghi tha se asgjë nuk ka përfunduar, por e rëndësishme është që të vazhdohet me këtë ritëm.

Sa i përket trajnerit të Atalantës, Gian Piero Gasperini, numri një i stolit bergamask është krenar për skuadrën e tij. 67 vjeçari tha se është diçka e jashtëzakonshme, që ekipi i tij, luan me mjaft kurajë edhe ndaj një prej skuadrave më të forta në botë sikurse është Interi. Për titullin, Gasperini shtoi se në calendar janë edhe shumë ndeshje për t’u luajtur, kështu që gjithçka mund të ndodhë.