Rinisja e kampionatit zviceran ka dhuruar në fundjavë një derbi mes vëllezërve Ajeti. Lojtari i përfaqësueses shqiptare, Arlindi, luajti me Grasshopers një ndeshje të rëndësishme në shtëpi ndaj Bazelit, ish-skuadra e tij dhe ku aktualisht aktivizohet i vëllai, Albiani. Por ka qenë vërtet një e dielë për t’u harruar për mbrojtësin. Fillimisht, ai shkaktoi një faull mëse të evitueshëm që në minutën e 3-të duke u ndëshkuar me karton të verdhë. Ndërsa brenda pak minutave mori edhe ndëshkimin e dytë, duke mbyllur ndeshjen që në të 26′, përderisa gjyqtari i tregoi kartonin e kuq.
Për Bazelin, që ishte në avantazh në ato momente, u bë gjithçka shumë e thjeshtë dhe dyfishoi shifrat pak minuta më vonë, duke mbyllur çdo diskutim të ndeshjes që në pjesën e parë. Ndërsa më tej rrumbullakosi rezultatin në 4-0 edhe falë një realizimi në minutën e 70-të të Albian Ajetit, i cili shoqëroitrigolëshin e Van Volfsvinkel. Kështu, Baseli ku për 90 minuta luajti edhe Taulant Xhaka, arriti të mbajë hapin e Young Boys. Kampionët në fuqi dhe kryesuesit aktualë të renditjes në Zvicër kishin fituar 2-0 të shtunën me Xamax, pa u lodhur shumë. Aq u mjaftoi gjithsesi për të ruajtur avantazhin prej 19 pikësh kundrejt vendit të dytë pas 19 javësh. Ndërkohë, sfidat e tjera të kampionatit zviceran u shtynë, për shkak të motit të keq.