Yann Sommer gjithnjë e më pranë Interit

Uncategorized

Yann Sommer gjithnjë e më pranë Interit. Që pas largimit të Andre Onana tek Manchester United, klubi zikaltër ka nisur gjuetinë për një tjetër portier. Sipas mediave gjermane, tashmë duket thjesht çështje ditësh që nënkampionët e Europës të kompletojnë transferimin e Sommer.

Duke qenë se zvicerani ka ende edhe një vit kontratë të vlefshme nga marrëveshja me Bayern, Interi po përpiqet të negociojë edhe në këtë drejtim, duke bërë të mundur që të paguajë sa më pak. Sipas informacioneve, 19 herë kampionët e Italisë mund të paguajnë rreth 4 milionë euro që Sommer të vishet zikaltër.

34 vjeçari konsiderohet si përforcimi i duhur nga drejtuesit e gjigantëve të Serie A dhe se ai plotëson parametrat për të marrë në dorëzim çelësat e portës së Interit.

Ndonëse nuk kanë të parashikuar ndonjë ndeshje miqësore mes tyre, si Interi, ashtu edhe Bayern Munich, po e zhvillojnë fazën përgatitore në Japoni, kështu që transferimi pritet të kompletohet mjaft lehtë dhe në këtë mes, nuk parashikohet të ketë asnjë të papritur.

Largimi i Sommer nga Bayerni bëhet më i besueshëm për faktin se me rikthimin e Manuel Neuer, atëherë zvicerani do të kalojë në plan të dytë, por ai nuk preferon të jetë një element rezervë, ndërsa në “San Siro” do të caktohet menjëherë titullar i katërkëndëshit.

Në këtë panoramë ngjarjesh, mund të themi se aventura e Sommer me Bayern Munich zgjati vetëm një gjysmë sezoni, duke qenë se ai u bë pjesë e klubit kampion të Gjermanisë, në merkaton dimërore të këtij viti, duke zëvendësuar të dëmtuarin Neuer. 34 vjeçari luajti 25 takime me klubin bavarez dhe arriti të fitonte një titull kampion.

Më tej, me Sommer të kyçur, Interi nuk e konsideron të mbyllur këtu merkaton. Sipas shtypit italian, 3 herë kampionët e Europës, po punojnë paralelisht edhe për një portier të dytë, një sulmues, një qenërmbrojtës dhe një mesfushor.

Shitja e Onanas drejt United për rreth 60 milionë euro dhe blerja e Sommer për 4 milionë euro, konsiderohet gjithashtu një lëvizje mjaft e mirë strategjike nga drejtuesit zikaltër, për të përmirësuar financat e klubit.