Boston Celtics dhe Toronto Raptors janë skuadrat e para që kanë kaluar në raundin e dytë të fazës ‘play-off’, pasi triumfuan edhe në ndeshjen e katërt të serisë së tyre, respektivisht kundër Philadelphias dhe Brooklyn Nets. Boston mposhti 110-106 76ers, falë paraqitjeve të shkëlqyera të Kemba Walker dhe Jayson Tatum. I pari u shpall shënuei më i mirë i ndeshjes me 32 pikë, ndërsa Tatum, veç 28 pikëve të shënuara, ishte deçiziv edhe me 15 rikuperime të topit nën tabelë.
Ndërsa Toronto fitoi me rezultatin e thellë 150-122 ndaj Brooklyn Nets, në një takim ku plot 5 lojtarë të Raptors shënuan mbi 10 pikë. Treshja Poëell-Ibaka-Siakam ishte ajo që vendosi në fakt fatin e ndeshjes, pasi së bashku realizuan plot 76 pikë.
Ndeshje emocionuese kanë dhuruar Dallas Mavericks dhe Los Angeles Clippers, me këta të fundit që vinin me avantazhin 2-1 në serinë me teksanët. Takimi ishte mjaft i luftuar që në periodën e parë të lojës, dhe në fund do të nevojitej edhe koha shtesë për të përcaktuar fituesin. Pikërisht atëherë kur dukej se kalifornianët do të siguronin një fitore të rëndësishme për të kaluar më tej, tek Dallas ishte Luka Doncic që edhe njëherë tjetër dhuroi spektakël në çastet e fundit. Slloveni shënoi 3-pikëshin final të sfidës, duke i dhënë fitoren skuadrës së Mavericks në një mënyrë plot stil dhe duke vështirësuar situatën për një nga favoritët e këtij sezoni si Los Angeles Clippers. Doncic ishte padyshim ylli i ndeshjes, duke kompletuar një ‘triple-double’ me 43 pikë, 13 asiste dhe 17 rikuperime të topit nën tabelë.
Fitore të jashtëzakonshme arriti edhe Utah Jazz, që mundi në 2 minutat e fundit skuadrën e Denver Nuggets me rezultatin 129-127. Tek Denver vinin të vendosur për të barazuar serinë ndaj Jazz. Jokic shënoi 29 pikë, por ylli i vërtetë për Nuggets ishte kanadezi Murray, që shënoi një rekord prej 50 pikësh. Por kjo shifër do të kalohej nga lideri kryesor i Utah, Donovan Mitchell, që i dha fitoren skuadrës së tij me 51 pikë.