MotoGP, Oliveirakonfirmohet si ‘mbreti i shiut’; Bagnaia kërcënon titullin e Quartararo-s.

Uncategorized

Miguel Oliveira është padyshim piloti më i mirë në pistë të lagur në ‘MotoGP’. Portugezi provoi edhe njëherë aftësitë e tij nën reshjet e shiut, teksa udhëhoqi ‘KTM’ drejt një fitoreje të madhe në Tajlandë, duke fituar sërish duelin me Jack Miller, që gjithashtu njihet si një pilot shumë i zoti në kushte të tilla atmosferike. Gara nisi me Bezzecchi-n në krye. Italiani kishte rezultuar piloti më i shpejtë gjatë kualifikueseve, por në garë nuk ia doli të ruante presionin e madh, duke bërë disa gabime me limitet e pistës. Dy pilotët e Ducati-t, Miller dhe Bagnaia ishin konstant me performancën e tyre duke diskutuar fitoren gjatë gjithë kohës, mirëpo Oliveira ia doli të rikuperonte pozicione shumë shpejt, duke marrë kreun. Miller provoi deri në fund ta vendoste nën vështirësi pilotin portugez të ‘KTM’, por pa sukses. Bagnaia ndërkohë u shfaq shumë i lumtur me një vend të tretë në Tajlandë, që duke parë rezultatet e rivalëve të tij për titullin, i ngjason vërtet një fitoreje. Fabio Quartararo dështoi sërish në pistë të lagur, duke mos u renditur më larg se sa vendi i 17, çfarë bëri që kampioni i botës ta mbyllte fundjavën në Tajlandë pa asnjë pikë. Ndërsa Aleix Espargaro pagoi një gabim në duelin me Binder në fillim të garës, dhe e mbylli i 11-i. 10-shja e parë ndërkohë u plotësua me Johan Zarco, Marc Marquez, Enea Bastianini, Maverick Vinales, Alex Marquez, Jorge Martin dhe Brad Binder. Kur kanë mbetur edhe 3 gara nga fundi i këtij sezoni në ‘MotoGP’, çështja e titullit kampion duket më e hapur se kurrë. Fabio Quartararo vijon të mbajë vendin e parë në renditjen e përgjithshme për pilotë me 219 pikë, por Francesco Bagnaia tani qëndron vetëm 2 pikë larg tij dhe me formën aktuale, shihet si favorit për ta mbyllur në krye. Aleix Espargaro po ashtu mbetet në lojë, me 199 pikë, 20 më pak se sa Quartararo, ndërkohë që Bastianini mbetet i distancuar me 180 pikë.