Enea Bastianini do të jetë pilot i skuadrës zyrtare të Ducati-t duke filluar nga sezonin i ardhshëm. Paraqitjet e mira me skuadrën ‘Gresini’ përgjatë këtij botërori kanë bindur drejtuesit e markës italiane t’i besojnë 24-vjeçarin një vend përkrah Francesco Bagnaia-s. Bastianini-t i është propozuar një kontratë 2-vjeçare nga ana e Ducati-t dhe thuhet se palët kanë gjetur marrëveshjen edhe për çështjen e pagës. Bastianini do të marrë vendin e Jack Miller, largimi i të cilit është konfirmuar javë më parë. Si alternativë të australianit, veç Bastianini-t, drejtuesit e Ducati-t kanë shqyrtuar si mundësi edhe Jorge Martin, aktualisht pjesë e skuadrës ‘Pramac’. Edhe piloti spanjoll ka bërë paraqitje mjaft të mira, por rezultatet e këtij sezoni, flasin qartë në favor të Bastianini-t.
Ky i fundit bëri debutimin në ‘MotoGP’ vetëm në sezonin e shkuar, ku me një motorr Ducati, të një modeli të dy viteve më parë, ia doli të siguronte vendin e tretë në garat e San Marinos dhe të Emilia-Romagna. Ndërsa përgjatë 2022-shit, Bastianini numëron 3 fitore, kundrejt 2 podiumeve të arritura nga ana e Martin. Në ‘Çmimin e Madh’ të Austrisë, Martin dhe Bastianini patën një duel interesant mes tyre, por italiani u detyrua të tërhiqej pas një problemi në motorr. Në renditjen e përgjithshme për pilotë, Bastianini numëron 118 pikë, 31 në shumë se sa spanjolli i ‘Pramac’, ndërkohë që ishte mes 3 vendeve të para përgjatë gjysmës së parë të këtij sezoni. Piloti italian u shfaq i emocionuar pas konfirmimit të marrëveshjes me Ducati-n, duke u shprehur se mezi pret të ketë mundësinë të shpalosë më të mirën e tij, me atë që ai e cilëson si motorrin me emocionues në ‘MotoGP’.