Manchester United, trajneri Ten Hag komenton situatën e Cristiano Ronaldos

Uncategorized

“Cristiano Ronaldo nuk është në shitje dhe ai nuk do të largohet nga Manchester United.” Këto janë fjalët e trajnerit të djajve të kuq, Erik Ten Hag. Përgjatë ditëve të fundit, CR7 është kthyer në një çështje të gjerë diskutimi, me mediat ndërkombëtare që vazhdimisht kanë raportuar se portugezi ka kërkuar largimin nga Manchester United.

Madje, një gjë të tillë e ka përforcuar edhe fakti se portugezi nuk ka udhëtuar së bashku me pjesën tjetër të skuadrës drejt Azisë, për të kryer fazën përgatitore. Megjithatë, sipas Ten Hag, situata është tërësisht ndryshe: “Cristiano nuk është në shitje. Ai nuk është me ne për arsye personale, por ai është në planet tona dhe po përgatitemi që ta fillojmë sezonin me të. Po pres me padurim që të punojmë së bashku,” është shprehur numri një I pankinës në “Old Trafford.”

Në këtë mënyrë, takticieni 52 vjeçar është përpjekur që të qetësojë disi zërat e merkatos rreth yllit portugez. Së fundmi, 5 herë fituesi I Topit të Artë, ka qenë vazhdimisht I lidhur me një transferim të mundshëm tek Chelsea, aty ku ka mundësinë që të luajë në Champions League.

Mirëpo, sipas Ten Hag, këto janë të gjitha raportime të pavlefshme, sepse nga biseda që ai ka patur me vetë futbollistin, ky I fundit nuk ia ka shprehur dëshirën e largimit. Madje, si Ten Hag dhe CR7 janë të vendosur që të mbërrijnë së bashku drejt suksesit.