Manchester City zgjat një dorë tek titulli kampion. Kur kanë mbetur edhe dy ndeshje nga fundi, kampionët në fuqi të Premier League, kryesojnë me 89 pikë, 3 më tepër sesa Liverpool. Transferta ndaj Ëolves ka rezultuar një shëtitje për Cityzens, të cilët triumfuan me rezultatin e thellë 5-1. Lojtari që shkëlqeu dhe mori vëmendjen e të gjithëve ishte Kevin De Bruyne, i cili realizoi 4 gola, ndërsa një tjetër u shënua nga Raheem Sterling.
Ekipi i Pep Guardiolës bëhet skuadra e vetme në historinë e Premier League që fiton 5 ndeshje radhazi, duke shënuar të paktën 3 gola. Këto gola, i kanë mundësuar bluve të Manchesterit që të përmirësojnë ndjeshëm edhe golavarazhin ndaj rivalëve të Liverpool dhe tashmë të mos kryesojnë vetem me pikë. Cityzens kanë shkuar në një diferencë plus 7 gola ndaj The Reds. Kjo do të thotë, që edhe nëse të dyja skuadrat e mbyllin sezonin me pikë të barabarta, është sërish Manchester City që shpallet kampion, të paktën duke marrë në konsideratë edhe epërsinë e golavarazhit.
Pas fitores ndaj Wolves, ndër të tjera, Guardiola i ka thënë edhe dy fjalë për blerjen më të re të Cityt, Erling Haaland. Takticieni spanjoll shprehet se ky është një afrim i përkryer për të ardhmen e klubit, sepse mund t’i shërbejë skuadrës për shumë vite me radhë. Pep uron që Haaland të përshtatet shpejt në skemat e tij, ndërsa insiston se lojtarë të tillë, përmirësojnë ndjeshëm edhe trajnerët.