Interi duket I pandalshëm në rrugën drejt titullit kampion. Në javën e 22, skuadra zikaltër ka dalë me sukses edhe në një transfertë mjaft delicate, sikurse është ajo e Fiorentinës. Në Artemio Franchi, zikaltërit fituan minimalisht me rezultatin 1-0, me golin e shënuar nga Lautaro Martinez në minutën e 14 të pjesës së parë.
Argjentinasi ka shkuar kësisoj në numrin e 19 golave të shënuar përgjatë këtij sezoni në kampionat dhe për momentin nuk mund të krahasohet dot me asnjë sulmues tjetër në Serie A, pasi diferença me ndjekësin më të afërt është e konsiderueshme. Në vendin e dytë, renditet Dusan Vlahoviç me 12 finalizime.
Mirëpo duhet theksuar se në trepikëshin e Interit, nuk pati kontribut vetëm Lautaro, por një meritë të jashtëzakonshme e ka edhe portiere Yann Sommer, I cili në minutën e 77 ndali një penallti të Nico Gonzalez, duke mbajtur në epërsi skuadrën e tij, epërsi që e ruajti deri në vërshëllimën e fundit.
Kjo është vetëm hera e dytë në historinë e Serie A, që pas 21 javësh të luajtura, Interi arrin të grumbullojë të paktën 17 fitore dhe 54 pikë. Më mirë se kaq, zikaltërit kanë bërë vetëm në edicionin 2006/07, teksa nën udhëheqjen e trajnerit Roberto Mançinin numëronin 18 fitore dhe një total prej 57 pikësh. Thënë këtë, numrat dallueshëm janë të jashtëzakonshëm, me Interin që javë pas jave, po e përforcon edhe më shumë veten, si skuadra pa asnjë rival për titullin kampion.
Gjigantët e Milanos kryesojnë me 54 pikë, 1 më tepër sesa Juventusi I vendit të dytë, por duhet theksuar gjithashtu se të besuarit e Simone Inzaghit kanë luajtur një ndeshje më pak. Në javën e ardhshme, Interi pret në shtëpi pikërisht Juventusit, sfidë që mund të vendosë shumë sa I përket çështjes së titulllit kampion për këtë sezon futbollistik në Itali