Fernando Alonso mund të rikthehet të garojë në ‘Formula 1’. Piloti spanjoll është gati të kthehet në pistë dhe këtë e ka konfirmuar menaxheri i tij, Flavio Briatore. Pas largimit të Vettel nga Ferrari, Sainz dhe Riccardo zyrtarizuan lëvizjet e tyre. Spanjolli braktisi McLaren për Ferrarin dhe vendin e tij e mori australiani Riccardo. Mediat ndërkohë filluan menjëherë me spekulimet se Fernando Alonso mund të rikthehet në pistë, me gjasa tek skuadra Renault dhe kjo gjë duket të jetë e mundur. Megjithatë, marka franceze vështirë se mund t’ja plotësojë Alonsos të gjitha kërkesat ekonomike dhe nuk përjashtohet mundësia që 2 herë kampioni i botës të bëjë rikthimin e tij edhe tek ndonjë skuadër tjetër. Briatore është shprehur se 1 vit larg ‘Formula 1’ ka bërë që Alonso të rikuperohet nga ana psikologjike, duke lënë pas lodhjen e angazhimeve për shumë sezone radhazi. Sipas tij, spanjolli është i lumtur që emri i tij përflitet për një rikthim në pistë dhe siguroi se ai është gati të japë më të mirën nëse do të vijë një ofertë zyrtare. Gjithësesi, diçka e tillë nuk është e garantuar, pasi skuadrat për momentin kanë edhe shumë alternativa të tjera, të cilat mund të jenë edhe më të arsyeshme sa i përket kostove. Në fund, Briatore foli edhe për largimin e Vettel nga Ferrari. Sipas italianit, Vettel pagoi çmimin e një sezoni të shkëlqyer që bëri Charles Leclerc. Briatore u shpreh se askush nuk e priste që Leclerc të shkëlqente në një mënyrë të atillë, prandaj lëvizje e drejtuesve të Ferrarit sipas tij, është ajo e duhura, e marrë në momentin e përshtatshëm.