Sa herë që i është dhënë shansi të zbresë në fushë, Kastriot Dermaku ka arritur të shkëlqejë. Por jashtë saj duket se ka disa tipare, që pakkush i dinte për mbrojtësin e Parmës dhe Kombëtares shqiptare. Mbi të gjitha, ai është një kuzhinier i përsosur. Qendërmbrojtësi 27-vjecar ishte përzgjedhur ditën e djeshme nga klubi i Parmës për të treguar se si e kalon i karantinën e tij. Përmes kanalit zyrtar të Parmës në Instagram, Dermaku ka zbuluar rutinën e një dite në karantinë, nga mëngjesi deri në darkë. Ai nuk ka nguruar të tregojë dietën e tij ushqimore, por gjithashtu edhe stërvitjen individuale. Ndërsa një pasion i tij i veçantë është edhe leximi. Pikërisht, në fund të ditës nuk i kursen vetes edhe shfletimin e një libri, për të kaluar mbrëmjen sa më mirë. Edhe pse në fushë ka treguar gjithmonë vlerat e tij, mbrojtësi shtatlart i Kombëtares shqiptare nuk ka pasur shumë hapësira te Parma në këtë sezon. Megjithatë me këtë video, klubi Italian ka treguar që edhe lojtari ynë është pjesë e rëndësishme e skuadrës verdheblu. Ndërkohë që vetëm pak ditë më parë, vetë Dermaku pranoi se është i kënaqur me lëvizjen e bërë, pavarësisht se nuk ka luajtur shumë. Por gjithsesi, ai mbetet përherë i gatshëm, për të shfrytëzuar momentin, atëherë kur trajneri D’Aversa ka nevojë për kontributin e tij.