Talenti spanjoll i Dinamos së Zagrebit, Dani Olmo kishte njoftuar drejtuesit e klubit kroat se kërkonte largimin drejt një skuadre tjetër dhe duket se dëshira e mesfushorit me tipare sulmuese do të plotësohet. Sipas asaj që raportojnë mediat spanjolle dhe gjermane, Olmo është shumë pranë transferimit tek kryesuesit e ‘Bundesliga’-s, Leipzig. Për 21-vjeçarin ka patur shumë skuadra të interesuara, si Milan, Atletico Madrid apo Barcelona. Megjithatë, Olmo beson se lëvizje më e mirë për të për momentin është një kalim tek gjermanët e Leipzig, ndonëse ka shfaqur pëlqimin e tij edhe për Milanin. Por duke parë problemet e kuqezinjve, spanjolli duket të jetë i prirur për t’u transferuar tek Leipzig, ku do të ketë mundësinë të luftojë për titullin kampion në Gjermani, por edhe të vijojë aventurëm në ‘Champions League’
Sa i përket shifrave të këtij transferimi, mediat flasin për një akord prej 30 milionë eurosh, plus 15 të tjera në formë bonuesi, çfarë e çojnë në 45 milionë euro koston totale të kartonit të 21-vjeçarit. Për më tepër, në rast rishitjeje të lojtarit nga ana e Leipzig, Dinamo e Zagrebit do të përfitojë 15-20% të shumës që Leipzig do të arkëtojë. Dani Olmo ishte një ndër lojtarë më të spikatur me kombëtaren U-21 të Spanjës në kampionatin europian, ku ishte protagonist në shpalljen kampione të ‘la roja’-s. 21-vjeçari i formuar në akademinë e Barcelonës, numëron në këtë sezon 22 ndeshje me fanellën e Dinamos së Zagrebit, ku ka arritur të shënojë 8 gola e të shërbejë 7 asiste.