Karim Benzema do të vijojë të jetë pjesë e Real Madrid, të paktën deri në vitin 2022. Kjo është ajo që raportojnë së fundmi mediat franceze, që gjithashtu zbulojnë se detajet e këtij rinovimi do të dalin në dritë vetëm në përfundimin e këtij sezoni. Benzema është pjesë e madrilenëve që nga viti 2009, kur u transferua nga Lyon për shifrën e 35 milionë eurove. Prej atëherë, sulmuesi ka qenë një nga themelet e Real Madrid, ku arriti edhe suksese të shumta, si titujt në ‘La Liga’, ‘Copa del Rey’ apo ‘Champions League’. 32-vjeçari kërkon të vijojë karrierën e tij tek ‘los blancos’ sa më gjatë të jetë e mundur dhe me gjasa, Benzema vitin e ardhshëm do të kërkojë një marrëveshje për rinovimin edhe me 1 vit tjetër. Gjithsesi, mbetet për t’u parë se cili do të jetë vullneti i drejtuesve të Real Madrid, pasi në 2022-shin, Benzema do të jetë 34-vjeçar, çfarë ndoshta mund të vërë në pikëpyetje kontributin e tij në të ardhmen.
Gjithsesi, për momentin sulmuesi francez mbetet një i ‘paprekshëm’ për tifozët e ‘los blancos’, pasi e shohin si një shtyllë të rëndësishme të skuadrës. Në këtë sezon, Benzema ka vijuar me paraqitjet e mira, pasi në 26 ndeshje në të gjitha kompeticionet, ka arritur të realizojë 16 gola, por edhe të japë kontributin e tij me 7 asiste. As ardhja e Luka Jovic nuk e tronditi pozicionin e Benzema në formacionin titullar, pasi sulmuesi serb deri më tani ka treguar shumë pak nga koha kur luante me Frankurtin. Ndërsa për trajnerin Zidane, Benzema është një nga të besuarit e tij më të rëndësishëm.