Zyrtarizohen shqiptarët që do të luajnë në Champions League

Sport

Deri në ditën e fundit të merkatos shpresoi për një kalim te Valencia, por si përfundim Elseid Hysaj do të duhet të qendrojë të paktën deri në janar te Napoli, që nuk pranoi ta jepte në huazim tek spanjollët, me të cilët vetë lojtari e kishte arritur akordin. Gjithsesi, tashmë shkodrani do të duhet të djerësijë shumë për të zënë një vend në formacionin e Ancelotit, i cili ndërkaq e ka përfshirë në listën e lojtarëve që do të ketë në dispozicion për fazën e grupeve të Champions League. Aty ku napoletanët do të ndeshen me Liverpulim, Salsburgun dhe Genkun.


Në këtë mënyrë duket se mbrojtësi ka besimin e trajnerit italian, i cili e ka përfshirë për ndeshjet e kompeticionit më të rëndësishëm europian, teksa jashtë ka lënë italianin Lorenzo Toneli. Megjithatë Hysaj duket se do ketë punë me Di Lorencon, lojtar i ardhur këtë vit nga Empoli dhe që për momentin shihet titullar për krahun e djathtë nga tekniku i Napolit. Hysaj nuk është i vetmi lojtar i Kombëtares shqiptare, që do të jetë i gatshëm për të luajtur në fazën e grupeve të Champions. Edhe Berat Gjimshiti është përfshirë nga Atalanta në listën e prezantuar nga Atalanta për pjesëmarrjen në kompeticionin më të rënësishëm të futbollit kontinental. Ndryshe nga sa ndodh me shkodranin te Napoli, Gjimshiti konsiderohet për momentin një zgjedhje e parë për trajnerin e bergamaskëve, Gasperini. Mbetet të shihet gjithsesi nëse ish-lojtari i Zyrihut dhe Avelinos do të arrijë të mbijetojë në formacion për të dyja kompeticiont, si kampionatin, ashtu edhe Champions League-n.