Zyrtare, Barcelona firmos me Martin Braithwaite

Sport

Martin Braithwaite është sulmuesi më i ri i Barcelonës, pasi katalansit shfrytëzuan lejen e federatës spanjolle të futbollit për të zëvendësuar Ousmane Dembele të dëmtuar. Braithwaite transferohet nga Leganes për shifrën e 18 milionë eurove dhe ka firmosur një kontratë që e mban të lidhur me katalanasit deri në qershorin e vitit 2024, ku përfshihet edhe një klauzolë largimi prej 300 milionë eurosh. Një lëvizje e tillë e ‘blaugrana’-ve ishte përfolur prej kohësh, me klubin që zyrtarizoi gjithçka me anë të rrjeteve sociale.
Kështu, Braithwaite bëhet lojtari i pestë danez që vesh fanellën e Barcelonës në të gjithë historinë e këtij klubi. Gjithashtu, është i pesti lojtar që ka luajtur për Leganes dhe Barcelonën. Dëmtimet e Suarez dhe Dembele bënë që situata në majën e sulmit tek Barcelona të kthehej në një çështje emergjente. Fillimisht, klubi katalanas kishte arritur një marrëveshje paraprake me Getafen për Angel Rodriguez, por mosha e tij 32-vjeçare bëri të kishte shumë kritika nga ana e tifozëve të Barcelonës për këtë lëvizje. Kështu, drejtuesit e ‘blaugrana’-ve u zhvendosën tek pista Braithwaite, për të cilin kishin refuzuar të bënin një ofertë gjatë merkatos së janarit. Me fanellën e Leganes gjatë këtij sezoni, Braithwaite numëron 27 ndeshje në të gjitha kompeticionet, ku 28-vjeçari ka arritur të realizojë 8 gola, 6 prej të cilave në ‘La Liga’.