Zvicër, Young-Boys synon titullin pas 32 vitesh, por Baseli ka ende shanse matematikore

Sport

Young Boys

Pas 32 vitesh, Berni, kryeqyteti “de facto” i Zvicrës, mund të shijojë titullin kampion të Super-League-ës. Një austriak i suksesshëm si Adi Hutter ka mundur të ndërtojë një skuadër tejet kompakte dhe këtë sezon Young Boys ka qenë fantastik. 26 javë të luajtura kanë parë verdhezinjtë të lënë prapa Baselin me 16 pikë, por megjithatë ende nuk është thënë fjala e fundit. Kuq-e-blutë, 20 herë kampionë të Zvicrës kanë një ndeshje më pak dhe dukshëm objektivi i këtij viti për ta ishte pjesëmarrja dinjitoze në Champions League, objektiv i arritur ky tashmë. Pas sukeseve në fazën në grupe, në 1/8-at, ekipi i Raphael Wicky-it u përball me Manchester City-in. Eliminimi nuk ishte aspak zhgënjim për ta duke qenë se shijuan një fitore 2-1 në Angli. Angazhimi në Evropë solli luhatje dhe këtë gjendje në kampionat, por tashmë gjithcka rinis aty ku u la, te një ri-përballje me Young Boys më 2 prill. Kalendari ka në lojë edhe 10 javë të tjera mes së cilave është edhe një tjetër duel direkt me verdhe-zinjtë më 10 maj në St-Jakob Park. Pra matematikisht skuadra e Wicky-it mundet ta shkurtojë distancën me 9 pikë, gjithmonë nëse fiton edhe sfidën e lënë pa-luajtur me Zurich-un. Prandaj përballja e 2 prillit në Stade de Suisse të Bernit pritet të jetë vendimtare për synimet e Young Boys. Garancia është treshja Assale-Nsame dhe Sulemjani që ka realizuar 32 gola në kampionat. Ky është aseti që duhet të rrëzojë Baseli. Gjithsesi te 20 herë kampionët ekziston besimi se nëse grinta dhe përvoja e shfaqur në Evropë, mund të rishfaqet në kampionat atëherë gjithcka mund të ndodhë.