4 fitore në po aq javë bëjnë Bazelin të marrë fluturimin në komandën e renditjes së Superligës zvicerane. Kampionët në fuqi fituan pastër 3-1 në fushën e Luzernit, megjithëse u gjendën fillimisht në disavantazh në sajë të golit të Lezcano. Por dy herë me Embolon dhe në fund me Delgadon arritën të përmbysin rezultatin. Teksa zgjati vetëm 20 minuta aktivizimi i njëkohësishëm i Jahmir Hykës, Shkëlzen Gashit dhe Taulant Xhakës në këtë sfidë që ngjante si një derbi. Dy futbollistët kuqezi të kampionëve në fuqi e kanë nisur takimin si titullar, mirëpo vetëm Xhaka e ka çuar deri në fund, sepse Gashi i rikthyer në fushë që nga fillimi pas dy takimeve mungesë (Sion e Lech Poznan), u zëvendësua në minutën 66-të nga trajneri Fisher Hyka është aktivizuar vetëm me nisjen e pjesës së dytë, duke zënë vendin e Haas. Shtatshkurtri shqiptar ka vazhduar sfidën brenda sfidës me Taulant Xhakën.
Bazelin e ndjek nga pas me tre pikë më pak Grasshopersi i shqiptaro-zviceranit Shani Tarashaj, i cili është njeriu i momentit në Zvicër. Ai shënoi një dopietë në fitoren 6-1 të Grasshopers kundër Luganos.Fillimisht realizoi në shtesën e pjesës së parë golin e tretë për skuadrën e tij, ndërsa goli i dytë ishte i 5-ti për Grasshopers. Praktikisht bëhet fjalë për një perlë, pas goditjes së fortë në hyrje të zonës. Sulmuesi që pëlqehet nga De Biasi, por që është grumbulluar prej Shpresës zvicerane, tani gëzon statusin e të qenit për momentin golashënuesi më i mirë i kampionatit. me 5 gola në 4 takime.
Për t’u veçuar edhe fitorja e parë e Zyrihut të Kukelit, Xhimshitit dhe Sadikut, 2-0 në fushën e Sant Galenit, duke u pozicionuar në vendin e katërt, një pikë pas Jang Bojs që fitoi 3-1 ndaj Tunit edhe pse me 1 lojtar më pak për 45 minuta. Burim Kukeli dhe Berat Xhimshiti luajtën gjatë të gjithë sfidës, ndërsa Armando Sadiku hyri në lojë në fundin e pjesës së parë, gjithsesi duke mos gjetur dot rrugën e rrjetës. Ndërsa te Sent Galeni kapiten ishte shqiptari Albert Bunjaku, që aktivizohet me përfaqëusesen e Kosovës. Vaduzi i Naser Alijit barazoi 1–1 me Sionin. Mbrojtësi i Kombëtares luajti prej minutës së parë, por ekipi i tij nuk e ka nisur mbarë kampionatin dhe ndodhet në fund të renditjes.
Zvicër/Java 4
Luzern – Basel 1-3
Grasshoppers – Lugano 6-1
St. Gallen – Zurich 0-2
Vaduz – Sion 1-1
Young Boys-Thun 3-1