Zlatan Ibrahimovic: Jam ende numri një

Sport

“Jam ende numri një. Po pres me padurim të kthehem sërish dhe të ndryshoj muzikën”. Këto janë fjalët më të freskëta të Zlatan Ibrahimoviç, i cili vijon ta konsiderojë veten si më të mirin. Sulmuesi i qendrës e ka lënë pas dëmtimin e gjatë në gju, që e penalizoi atë të mos luante në asnjë ndeshje të deritanishme të këtij edicioni futbollistik. Rikthimi i suedezit, konsiderohet tepër i rëndësishëm për Milanin, pasi duket sikur skuadra ka nevojë për një udhëheqës në fushë.

Pavarësisht rezultateve tepër negative në javënt e fundit, të cilat e kanë futur skuadrën kuqezi në një krizë të thellë, Ibrahimoviç nuk është aspak i shqetësuar. “Nuk jam i shqetësuar. Këto janë gjëra normale përgjatë një sezoni në kampiona. Tashmë është momenti për të diskutuar dhe është momenti për të treguar vlerat tona në fushën e lojës. Gjatë këtyre 7-8 muajve që kam qenë i dëmtuar, jam përpjekur ta ndihmoj ekipin në një formë të ndryshme, ndërsa tani do përpiqem të jap maksimumin në tapetin e blertë”, janë disa prej fjalëve të 42 vjeçarit.

Ndërkohë, një prej lojtarëve më të komentuar në kampin kuqezi përgjatë kohëve të fundit është pikërisht Rafael Leao, e ardhmja e të cilit mbetet në diskutim. Ibrahimoviç ka folur pikërisht për këtë temë, duke e këshilluar portugezin që të përqendrohet vetëm në lojën e tij në fushë, të japë më të mirën, sepse çdo gjë tjetër do të zgjidhet.

Një tjetër futbollist, gjithashtu i komentuar në radhët e Milanit është edhe Charles De Keteleare, i cili nuk po përmbush pritshmëritë deri në këtë fazë të edicionit. Megjithatë, sipas Ibrahimoviç, belgu është një lojtar me shumë potencial. Ai ka nëj talent të madh, por duhet të tregohet i duruar dhe duhet të gjejë rrugën e duhur për të shpërthyer.

Në fund, kritikat ndaj trajnerit Stefano Pioli, për Ibrahimoviç janë diçka normale, sepse në një profesion të tillë mund të rrethohesh nga gjithçka. Sipas sulmuesit, e rëndësishme është që të menaxhohet presioni, pasi kjo është mënyra e vetme për të mbëtur në krye.