Hakim Ziyech mund të konsiderohet një prej lojtarëve më të zhgënjyer të merkatos së Janarit. Përgjatë orëve të fundit, marokeni ishte shumë pranë transferimit në radhët e PSG, atje ku do huazohej deri në fund të sezonit.
Gjithçka po shkonte për mrekulli. Madje, anësori i sulmit udhëtoi drejt Parisit për të kryer vizitat mjekësore dhe më pas për të firmosur kontratën prej një gjysmë sezoni. Mirëpo, gjithçka u kthye përmbys vetëm në momentet e fundit. Sipas informacioneve që nënvizohet në mediat e huaja, teksa operacioni po kompletohej në limite të kohës, Chelsea ngatërroi dokumentet e lojtarit dhe si pasojë, gjithçka u anullua dhe asnjë nuk shkoi sipas planit.
Megjithatë, kjo çështje mbetet ende e hapur. Ndonëse është rikthyer në Londër, Ziyech i ka minutat me pikatore në Stamford Bridge, duke marrë parasysh këtu faktin që Chelsea ka firmosur me shumë lojtarë gjatë afatit kalimtar të dimrit dhe marokeni ka kaluar në plan të dytë.
Më tej, një tjetër lëvizje e orave të vona që ka ndodhur në merkato është edhe huazimi i Keylor Navas në radhët e Notingham Forest. Portieri kostarikan nuk po gjente hapësira me PSG dhe si pasojë është bërë pjesë e klubit të Premier League. Sidoqoftë, në fund të sezonit, anglezët nuk kanë të drejtë ta blejnë kartonin e tij, por lojtari do rikthehet sërish në “Parc des Princes”.