Zinedine Zidane dhe Luis Enrique po presin shkarkimin e Graham Potter

Sport

Zinedine Zidane dhe Luis Enrique po presin shkarkimin e Graham Potter nga Chelsea. Potter, prej kohësh rrezikon të largohet nga drejtimi i Bluve të Londrës. Që prej Shtatorit të 2022-shit, kur u vendos në krye të stolit, nën drejtimin e tij, skuadra ka arritur të fitojë vetëm 9 ndeshje nga 26 në total.

Ndonëse drejtuesit e klubit kanë besuar vazhdimisht në aftësitë e teknikut britanik, mediat në ishull raportojnë se dy ndeshjet e ardhshme do jenë vendimtare për vazhdimësinë e Potter në krye të Chelsea.

Sfida e radhës ndaj Leeds United në Premier League, e gjithashtu akti i kthimit në Champions League ndaj Borussia Dortmund, janë betejat vendimtare, që për të mbetur në krye të skuadrës, Potter duhet t’i fitojë me çdo kusht. Avantazhi e 47 vjeçarit në këtë rast, mund të konsiderohet faktori fushë, sepse që të dyja takimet do zhvillohen në “Stamford Bridge”.

Nëse nuk ia del, atëherë Potter mund të shkarkohet, ndërsa Zinedine Zidane dhe Luis Enrique janë në pritje për t’u emëruar në krye të Chelsea. Francezi, që prej verës së 2021-shit, kur u largua nga Real Madrid, vijon të jetë i papunë dhe është në pritje të një ekipi. Për 50 vjeçarin u përfol shumë se do të merrte drejtimin e kombëtares franceze, mirëpo rinovimi i Didier Deschamps anulloi çdo plan.

Nga ana tjetër, edhe Luis Enrique është në kërkim të një skuadre. Që prej momentit kur u shkarkua nga drejtimi i kombëtares spanjolle, pas eliminimit në 1/8-tat nga Maroku, tekniku në fjalë është shprehur se dëshira e tij është që tashmë të drejtojë një klub dhe jo një kombëtare.

Në të ardhmen e afërt, detaje të tjera pritet të zbulohen në lidhje me këtë çështje.