Zidane shpjegon zgjedhjet taktike kundër Valencias

Sport

Real Madrid siguroi kalimin për në finalen e ‘Superkupës’ së Spanjës, pasi mposhti 3-1 Valencian. Ekipi i drejtuar Zidane bëri një lojë shumë të mirë dhe u udhëhoq nga lojtarët e mesfushës, të cilët vendosën edhe fatin e këtij takimi. Megjithatë, zgjedhjet e teknikut francez sa i përket rreshtimit të skuadrës në fushë në këtë ndeshje, tërhoqën shumë vëmendje. Duke parë mungesat e shumta të lojtarëve kryesorë si Hazard, Benzema apo Bale, të gjithë prisnin që në fushë të zbrisnin dyshja e talentuar braziliane, Vinicius Junior dhe Rodrygo, në mbështetje të Luka Jovic. Ky i fundit ishte në majën e sulmit, por për pjesën tjetër, Zidane kishte menduar një zgjidhje ndryshe. Zidane vendosi të zbriste në fushë me 5 mesfushorë, çfarë sigurisht prishi planet e Valencias dhe ç’orientoi krejtësisht fazën mbrojtëse të kundërshtarit.

Në konferencën pas ndeshjes, Zidane shpjegoi edhe këtë lëvizje të tij, që në fund rezultoi të ishte fituese, por nuk harroi pa përgëzuar edhe lojtarët e tij për paraqitjen e mirë në fushën e lojës.
“Lojtarët e mi bënë një lojë shumë të mirë. Goli i Kroos ishte gjenial, ndërsa Modric është unik në ato që bën. Vendosa të luaja me më shumë mesfushorë dhe me një stil ndryshe. I dhamë më shumë hapësira mbrojtësave anësorë për të shtyrë përpara. Nga ana tjetër, me cilësitë e lojtarëve tane në fushë, në këtë mënyrë mund të dominonim më lehtësisht në kontrollin e topit.”
I pyetur nëse kjo skemë do të përdoret vazhdimisht në të ardhmen, Zidane u përgjigj se skuadra e tij i ka mundësitë për të luajtur në të gjitha mënyrat. Cilësitë dhe profilet e ndryshme të lojtarëve që ka në organikën e ekipit, i mundësojnë atij të provojë skema nga më të ndryshmet. Gjithësesi, përgatitja dhe rreshtimi i skuadrës sipas Zidane, do të vendoset në varësi të kundërshtarit që do të kenë përballë.