Deklarata e trajnerit të Real Madrid, Zinedine Zidane, se Gareth Bale nuk ishte në planet e tij dhe se shumë shpejt do të shitej, ka nisur një luftë të vërtetë në distancë mes palëve të përfshirëa. Tashmë ka qenë radha e agjentit të Bale, Jonathan Barnett, që ka replikuar me fjalët e thëna nga ana e Zidane. Sipas Barnett, trajneri i ‘los blancos’ duhej të kishte treguar më shumë respekt ndaj uellsianit dhe mënyra se si vendosi ta përçojë mesazhin e tij ka qenë krejtësisht e gabuar. Agjenti i Bale nuk tregoi detaje rreth ndonjë përplasjeje të mundshme mes lojtarit dhe trajnerit në fjalë, por sqaroi se edhe drejtuesit e klubit duhet të kishin ndërhyrë për të gjetur një rrugë më të mirë të ndarjes së palëve.
Barnett shtoi se klienti i tij mbetet një ndër 5 futbollistët më të mirë në botë dhe sipas tij meritonte një trajtim shumë më të mirë për hir të kontributin që ai ka dhënë për Real Madrid. Për të ndezur disi debatet, agjenti Jonathan Barnet tha se nëse Bale largohet nga ‘los blancos’, do të ndodhë për dëshirë të tij dhe jo sepse do e largojnë Zidane apo Real Madrid. Dy nga skuadrat më të interesuara për transferimin e Gareth Bale kanë qenë Tottenham dhe Manchester United. Por së fundmi, në skenë ka dalë edhe emri i Bayern Munich, që vijon të jetë në kërkim të një zëvendësuesi të Arjen Robben.