Erdhi si fillestar… për t’u larguar si legjendë. Pakkush e kishte menduar se vetëm me përvojën e vogël te Reali B do të arrinte të ngjiste maloren e suksesit në timonin e Realit të madh. Në hapat e parë të tij u shpreh se kishte shumë gjëra për të mësuar. Por arriti t’i asimilojë më shpejt nga sa imagjinohej. Aq sa brenda pak muajve ngriti menjëherë trofeun e parë të Champions. E nuk u mjaftua me aq. Me kalimin e muajve erdhën të tjerë triumfe. Ai, Zizu i udhëhoqi “Los blancos” drejt 8 finaleve dhe i fitoi të gjitha, pa dështuar asnjë.
Plot 9 tituj, bashkë me atë të kampionit, e bëjnë trajnerin më të suksesshin e historisë së Realit, të paktën në 50 vitet e fundit. Dhe e realizoi gjithcka brenda 2 viteve e 5 muaj. Praktikisht, një trofe çdo thuajse 100 ditë. Nuk kishte mbyllje më të bukur sesa Champions-i i tretë radhazi. Si askush tjetër në histori. Dhe ai vendosi që ta lërë me kaq. Pasi legjendave u ka hije të largohen vetëm në këtë mënyrë.