Real Madrid triumfoi në ‘Superkupën’ e Spanjës ndaj Atletico Madrid, ku gjithçka u vendos falë goditjes së 11-metërshave. Skuadrat luftuan shumë gjatë 90 minutave për të gjetur rrugën e rrjetës, por si Thibaut Courtois, edhe Jan Oblak bënë një punë të mirë për të mbajtur portat e tyre të paprekura. Gjatë kohës shtesë presioni u rrit ndjeshëm dhe ekipet provuan me të gjitha mënyrat. Në fund, Alvaro Morata u duk se do të kishte shansin e artë për të vulosur finalen, por Valverde bëri një ndërhyrje që ka shkaktuar jo pak polemika. Gjithësesi, ajo ishte e vetmja mënyrë që sulmuesi i Atleticos të ndalej. Në goditjen e penalltive, tek Reali ishin më të saktë, me kapitenin Sergio Ramos që shënoi 11-metërshin deçiziv. Hero i ndeshjes nuk ishte vetëm Valverde, por edhe portieri Courtois, i cili më në fund duket se ka gjetur rrugën e duhur për t’u bërë një lider tek madrilenët, pas disa muajve që belgu po kërkon t’i harrojë sa më shpejt.
Ky ishte trofeu i parë që Zidane fiton me Realin që nga rikthimi i tij në krye të stolit të ‘Los Blancos’. Edhe pse me mungesa, ekipi i tij ia doli të bënte një paraqitje mjaft të mirë, duke treguar se i kanë lënë pas problemet e sezonit të kaluar. Tani, trajneri i Real Madrid numëron 9 finale të fituara, në po kaq të luajtura, çfarë është një rekord absolut sa i përket futbollit elitar europian. Jo më kot, presidenti Florentino Perez e ka quajtur trajnerin e ekipit të tij si një njeri ‘të bekuar nga parasja’.