Inaugurimi i një fushe mini-futbolli vetëm pak metra nga stadiumi parizien “St.Denis” ka qenë rasti për të mbledhur edhe një herë kampionët francezët të Botërorit të 1998-s. Ekzaktësisht, kur kanë kaluar gati 20 vjet nga ajo finalja që solli triumfin 3-0 ndaj Brazilit. Ishin të pranishëm Laurent Blanc, Youri Djorkaeff, Fabien Barthez, Christian Karembeu, Robert Pires, por mbi të gjitha Zinedine Zidane, i cili ka marrë vëmendjen kryesore. Jo vetëm për faktin se pati shënuar 2 gola në finalen e “France 98”, por edhe se tashmë vjen me petkun e kampionit të trefishtë të Evropës.
Sidoqoftë në këtë kohë, tema kryesore është Botërori dhe Zizou nuk i ka shpëtuar pyetjeve mbi Kombëtaren franceze: “Viti 1998 ishte historic! Por fitimi i një tjetër Kupe të Botës është gjithçka që i uroj skuadrës aktuale që kemi. Vërtet që i ka të gjitha mundësitë. Zotëron talent, cmenduri e gjithcka që duhet për të realizuar triumfin. Sigurisht është një turne i ndërlikuar, ku favoritët janë ekipe të tjerë. Por them se Franca është mes skuadrave të mëdha”, deklaroi ish-numri 10 i “gjelave”.
Ndër të tjera, Zidane ka dashur të sigurojë se nuk e la Realin, për të marrë drejtimin e Kombëtares franceze, por thjesht për pak pushim. “Unë do të jem tifozi i parë i kësaj France në Botëror. Duam një titull tjetër dhe ekzistojnë mundësitë për të bërë dicka të mirë. Didier Deshamp duhet të punojë i qetë. Objektivi im është që për pak kohë të shijoj atë që bëhet kur nuk jemi vërtet aktiv”, shtoi 45-vjeçari. Sa i takon të ardhmes ka theksuar se ende nuk e di se cfarë do të bëjë dhe sa do të zgjasë pushimi. Sipas tij, gjëja më e rëndësishme është vendimi që mori pas finales së 26 majit. Për pjesën tjetër mbetet gjithçka për t’u shikuar.