Zidane e nis me këmbën e mbarë, mund Romën 2-0

Sport

maxresdefault_1.jpg

Ndeshja e parë si trajner i Realit në Champions League, rezultoi një ndeshje e suksesshme për Zinedine Zidane. Francezi iu fal veprimeve individuale të Cristiano Ronaldos dhe Jese Rodriguez, të cilët me dy golat e tyre e kanë siguruar praktikisht kalimin për në cerek-finale. Duke folur pas ndeshjes së transmetuar EKSKLUZIVISHT NE TRING SPORT HD, Zidane u shpreh i kënaqur nga rezultati i një përballjeje që ishte tejet e vështirë, sikurse e cilësoi ai mënyrën e lojës me të cilën po diktonte Roma ndeshjen. 43-vjecari tha se ishte me tejet rëndësi fakti që skuadra fitoi pa pësuar asnjë gol. Trajneri francez tha se pjesa e parë ishte tejet e vështirë, por në të dytën përqëndrimi ishte më i madh, gjë që shpagoi më pas me dy gola. Zidane në këtë pikë theksoi se merita kryesore duhet t’i shkojë grupit. Ai tha se duke luajtur bashkë, ashtu sikurse u bë në pjesën e dytë, kjo skuadër mund të fitojë trofe. Cristiano Ronaldo përballë Romës shënoi golin e tij të 12-të për këtë sezon të Champions League-ës dhe të 89-in në karrierë, duke e përmirësuar edhe më shumë rekordin e tij si golashënuesi i kompeticionit. Fakti që ky ishte goli i parë në transfertë që prej 29 nëntorit, ishte një lehtësim për Zidane, i cili shpreson që Ronaldo t’i rikthehet formës më të mirë të mundshme, me objektiv triumfin në Champions League, fronti i vetëm në të cilin Reali ka ende shpresa për sukses.
Luciano Spalletti sheh aspekte pozitive edhe pse skuadra e tij humbi 0-2 përballjen e parë me Realin e Madridit në fazën e 1/8 të Champions League-ës. Trajneri i Romës u shpreh pas ndeshjes se skuadra ishte e pafat për të marrë një rezultat pozitiv, por tregoi se është në rrugën e duhur. 56-vjeçari përgëzoi të tijët duke thënë se të gjithë lojtarët zhvillluan një ndeshje të mirë. Sipas tij skuadra ishte disi e ndrojtur në pjesën e parë, aty ku nuk u shfrytëzua si duhet rreshtimi në mesfushë. Në pjesën e dytë sipas Spallettit skuadra humbi ekuilibrin që po mbante përgjatë gjithë ndeshjes, duke pësuar gol nga një aksion individual. E njëjta gjë u përsërit edhe kur u kërkua barazimi. Në përgjithësi Spalletti mbajti një qëndrim neutral, ashtu sikurse bën gjithmonë, duke mos folur për rastet e diskutueshme gjatë ndeshjes. Por këtë pjesë e ka cekur Presidenti i Romës, James Pallotta, sipas së cilit nëse arbitri do të kishte vërshëllyer njëmbëdhjetëmetërsh rrëzimin e Florenzit në zonë atëherë rezultati përfundimtar do të ishte i ndryshëm. Gjithsesi italo-amerikani theksoi se kishte mbetur i kënaqur nga performanca e skuadrës në fushë dhe deklaroi se do të jetë në Madrid për ta parë nga afër ndeshjen e kthimit.