Ish-lojtari dhe trajneri i Barcelonës e i Spanjës, Luis Enrique, ka ndarë mbrëmjen e së enjtes lajmin e hidhur se vajza e tij 9-vjeçare, Xana, është ndarë nga jeta pas një betejë 5 mujore me kancerin.
Në njoftimin e shpërndarë nga vetë spanjolli shkruhet:
“Vajza jonë Xana ka ndërruar jetë këtë mbasdite në moshën 9-vjeçare, pasi luftoi për disa muaj me ostesarkomën. I falenderojmë të gjithë ata që na kanë qënduar pranë gjatë këtyre kohëve dhe ju lutemi të respektoni privatësinë tonë. Ne gjithashtu falenderojmë stafin, doktorët, infermierët dhe vullnetarët pranë spitaleve Sant Joan de Deu dhe Sant Pau, për dedikimim dhe kujdesin ndaj Xanës. Do na mungosh shumë bija jonë por do të të kujtojmë çdo ditë të jetës, me shpresën se do të shihemi sërish në të ardhmen. Ti do të jesh ylli që do të orientojë përpara familjen tonë.”
Lusi Enrique hoqi dorë nga pozicioni si trajneri i Spanjës në 19 qershor të 2019-ës, por ishte larguar nga drejtimi i kombëtares që në 26 mars dhe asisteni i tij, Roberto Moreno, kishte marrë përsipër zëvendësimin në detyrë. Enrique u emërua në krye të pankinësë së vendit të tij pas dështimit të Spanjës në Kupën e Botës në vitin 2018. Largimi nga kombëtarja ishte pikërisht me arsyen për të qëndruar pranë familjes, gjatë betejës që Xana fatkeqësisht nuk mundi ta fitojë me kancerin e kockës.
Tragjedia në familjen e trajnerit ka bashkuar botën e futbollit që në momentin kur lajmi u bë i ditur dhe mesazhet e ngushëllimit vazhdojën dhe ditën e sotme, nga personalitet më të mëdha deri tek tifozët më të thjeshtë. Presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, ekip me të cilin Enrique fiton tripletën në vitin 2015, shkroi në Twitter:
“E gjithë mbështetja jonë shkon për Luis Enrique-n, gruan e tij dhe të gjithë familjen gjatë kësaj kohe të vështirë. E gjithë familja e Barcelonës është e prekur nga humbja e parakohshme e Xanas. Ngushëllimet tona më të përzemërta.”
Ndërkohë Federata Spanjolle e Futbollit shkroi në një njoftim zyrtar:
“Një ditë ne bëmë tonin një yll (Kupën e Botës). Nga sot kemi një tjetër yll që do të na mbështesë nga parajsa me dritën e saj. Prehu në paqe e vogla Xana. Federata Spanjolle i bashkohet ngushëllimeve për familjen Martinez Cullell dhe i japim kurajo për dashurinë dhe forcën e pashembullt që kanë treguar”.
Ndërkohë kryeminsitri i Spanjës u shpreh:
“Nuk ka fjalë që mund ta përshkruajnë këtë dhimbje. Ngushëllimet më të përzemërta për Luis Enriquen dhe familjen e tij, pas humbjes së Xanas.”
Për ju që nuk e dini, osteosarkoma është forma më e zakonshme e kancerit të kockës dhe kryesisht prek fëmijët, adoleshentët dhe të rinjtë.