Lionel Messi nuk ka dyshime se do shkëlqejë në sezonin e ardhshëm me PSG-në. Nga grumbullimi me përfaqësuesen e Argjentinës, 7 herë fituesi i Topit të Artë ka folur gjerë e gjatë për tema të ndryshme, disa prej të cilave kanë qenë për t’u veçuar.
Vetëm 11 gola në Parc des Princes në sezonin që po lëmë pas, mes Champions Leagues dhe kampionatit, janë konsideruar shumë pak për një figurë si Messi, çka solli edhe njëfarë zhgënjimi në opinionin e përgjithshëm sportiv. Mirëpo, sulmuesi është i bindur se edicionin e ardhshëm, ai do rikthehet në versionin e tij më të mirë.
“Vera e kaluar ishte një çmenduri e vërtetë dhe transferimi në Francë, për mua ishte diçka e re. Një situatë krejtësisht ndryshe, që nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë. Një tjetër vit pa titullin e Champions League, ishte e papranueshme për tifozët. Eliminimi nga Real Madrid na dëmtoi rëndë, duke filluar nga unë, e duke përfshirë të gjithë pjesën tjetër të lojtarëve të skuadrës. Megjithatë, edicioni i ardhshëm do jetë më i mirë, si për mua, ashtu edhe për PSG dhe për këtë jam I sigurt”, ka qenë fillimisht “mesazhi” i pleshtit, që ndër të tjera, i jep fund polekimave mbi të ardhmen e tij, të paktën edhe për një sezon.
Më tej, Messi ka komentuar edhe triumfin e Real Madrid në Champions League, rivalin e përjetshëm të tij dhe të ish-klubit të tij, Barcelonës. “Nuk dua t’i heq asnjë meritë Realit, pasi tashmë janë kampionë, por këtë sezon, ata nuk ishin skuadra më e mirë në Champions. E pavarësisht kësaj, arritën që t’i mposhtnin të gjithë”, ka thënë 34 vjeçari.
Në fund, i pyetur rreth Topit të Artë, Messi është i bindur vetëm rreth një personazhi. “Mendoj se këtë çmim duhet ta fitojë Benzema. Ai pati një sezon spektakolar, që përfundoi edhe me kurorëzimin si kampion i Champions League, duke qenë vendimtar që nga raundi I 1/8-tave. Këtë vit nuk ka asnjë dyshim se kush duhet ta fitojë”, ka mbyllur Messi.