Zhgënjen Barcelona, Reali vetëm një pikë larg titullit

Sport

Është mbyllur me dështim ndeshja e prapambetur për Barcelonën në La Liga. Të dielën në mbrëmje, katalanasit pritën në shtëpi Rayo Vallecanon, sfidë e vlefshme për javën e 21 të kampionatit.

Ndonëse pritej një reagim nga katalanasit, nuk ndodhi kështu. Ishte skuadra nga Madridi ajo që doli me pikë të plota nga Camp Nou, duke fituar minimalisht me rezultatin 1-0. Golin e vetëm të sfidës e realizoi Alvaro Garcia që në minutën e 7-të.

Pas disfatës me Frankfurtin dhe me Cadizin, kjo ishte humbja e 3-të radhazi për Barcelonën në shtëpi. Një rekord kaq negativ, blaugranat e kishin regjistruar vetëm një herë më parë në historinë e tyre, atëherë kur drejtoheshin nga Louis van Gaal, midis sezoneve 1997/98 dhe 1998/99.

Më tej, Vallecano bëhet skuadra e 4 në historinë e kampionatit spanjoll, që rikthehet në La Liga dhe i fiton të dyja ndeshjet e një edicioni ndaj Barcelonës. Jo vetëm kaq. Andoni Iraola që drejton Vallecanon, bëhet trajneri i parë në shekullin e 21 që triumfon në të dyja ndeshjet ndaj katalanasve, si në shtëpi, ashtu edhe jashtë saj.

Në 33 javë, Barcelona klasifikohet e dyta në renditje me 63 pikë, kurse Vallecano në vendin e 11-të me 40 pikë. Kjo do të thotë, që me 15 pikë I shkëputur në krye, në takimin e javës së ardhshme ndaj Espanjolit, Real Madrid mund të shpallet kampion i La Ligas, qoftë edhe me një barazim.