Çështja e shumëpërfolur e ndryshimit gati për cdo ndeshje të kapitenit të Kombëtares shqiptare ka marrë fund. Kanë qenë vetë lojtarët që kanë zgjedhur përmes një votimi para ndeshjes me Jordaninë dhe si rezultat ka dalë emri i Mërgim Mavraj, si ai që do të mbajë shiritin në krah në mënyrë të përhershme. Trajneri Panuçi, edhe në konferencat për shtyp të dhëna kohët e fundit, kishte thënë se rregulli për ta ndryshuar sipas mungesave dhe numrit të ndeshjeve në total do të vijonte, por ja që befas ka pasur një kthesë radikale. Nuk do të ketë më rregull që lidhet me numrin e ndeshjeve, por me lidershipin. Mavraj, në fakt, është një prej atyre me më shumë aktivizime, pasi ka luajtur 40 ndeshje me Shqipërinë, teksa ka realizuar edhe 3 gola. Mbrojtësi debutoi me kuqezinjtë në startin e epokës “De Biasi”, Qatar-Shqipëri 1-2, në maj të vitit 2012.
Ndër vitet e fundit, ish-lojtari i Hamburgut që tashmë luan me Aris, ka qenë nga mbrojtësit që ka dhënë kontribut të madh në radhët e Kombëtares. Prej votimit të bërë janë caktuar edhe dy zëvendës kapitenët e skuadrës. Kështu, i dyti ndër më të votuarit ka rezultuar Elseid Hysaj, i cili do të ketë mundësinë të luajë si kapiten, atëherë kur të mungojë Mavraj. Por në rast se do të ndodhë që të mungojë si Mavraj, ashtu edhe Hysaj, atëherë shiriti do t’i takojë Migjen Bashës, përderisa mesfushori mësohet se ka qenë i treti ndër votimet e bëra nga shokët e tij të përfaqësueses kuqezi.