Garet Bejl dhe Hames Rodriguez kanë qenë dy emrat më të lakuar te Real Madrid gjatë kësaj vere, futbollistë të cilët nuk kishin hapësira në radhët e madrilenëve nën drejtimin e Zinedin Zidan dhe normalisht ishin vënë në kërkim të sistemimeve të tjera. Për të dy ka ardhur koha e vendimeve dhe duket se në ditën e fundit, te Reali i kanë vënë “vulën” të ardhmes së dy lojtarvëe. “Marca” raporton se tashmë është fakt i kryer transferimi i Garet Bejl te Jiangsu Suning në kampionatin kinez.
Lojtari do të firmosë për 3 vite atje dhe do të përfitojë një rrogë neto prej 22 milionë eurosh në vit. Zidan i ka bërë të qartë uellsianit se do të kalonte vitin në pankinë ndaj ai në fund ka zgjedhur ofertën kineze për të ardhmen e tij.
E ndryshme ësht ësituata për Hames Rodriguez, i cili ka oferta, por jo që të kënaqin Real Madrid ekonomikisht. Për këtë arsye, madrilenët kanë vendosur të mbajnë kolumbianin, duke pasur parasysh edhe dëmtimin e Asensios, ndonëse Hames ndiqej nga Atletiko dhe Napoli. Zidan ka preferuar që ta ketë përsëri në drejtim, edhe pse në vitin 2017 ishte ai që e largoi drejt Bajern Mynih. Të dy këto vendime pritet të zyrtarizohen gjatë fundjavës.