Ka zgjatur vetëm 13 minuta Botërori për Lucas Hernandez, por nuk është ky lajmi më I keq për të. Sikurse ka njoftuar Federata Franceze e Futbollit, nga ekzaminimet e kryera, mbrojtësi ka këputur ligamentin e gjurit të djathtë dhe kjo do të thotë se sezoni për të mund të konsiderohet I mbyllur, ndonëse një gjë e tillë nuk është ende zyrtare.
Në këtë mënyrë, normalisht që ky është një shqetësim madhor për Francën në këtë Kupë Bote, sepse trajneri Deschamps tashmë nuk ka mundësi që të afrojë lojtar tjetër në vend të tij. Po ashtu, ky lëndim I mbërojtësit, patjetër që ka lënë një shije të hidhur edhe në Munich, aty ku ishte një lojtar I rëndësishëm në organikën e Bayernit.
Lucas Hernandez e nisi mirë këtë sezon, por në shtator u ndal nga një lëndim muskulor, që e mbajti atë për 6 javë jashtë fushave të lojës. Mirëpo, rikthimi I tij nuk ka shkuar aspak mirë, duke qenë se mbrojtësi është dëmtuar sërish, por këtë herë lëndimi ka rezultuar mjaft I rëndë.
Ndonëse e nisi me fitore këtë Botëror, duke triumfuar 4-1 ndaj Australisë, Franca mund të konsiderohet me të vërtetë e pafatë, sepse për trajnerin Deschamps mungojnë disa lojtarë të tjerë thelbësorë, sikurse janë Paul Pogba, N’Golo Kante, Mike Maignan, Presnel Kimpembe, apo edhe dy sulmuesit, Christopher Nkunku, së bashku me Karim Benzema.