Zbuloni sportistët që kanë fituar vëmendje në 4 ditët e para të Minsk 2019

Sport

“Minsk 2019” është një mundësi e mirë për shumë sportistë që të sigurojnë pozita të mira rreth një kualifikimi për në ‘Lojërat Olimpike’ të vitit të ardhshëm, prandaj shumë të rinj përpiqen të japin maksimumin për të siguruar sa më shumë suksese. Në 4 ditët e para, janë disa sportistë të rinj që kanë rënë në sy më shumë se të tjerët, kjo jo vetëm për medaljet e fituara, por edhe për moshën premtuese dhe cilësitë e shfaqura gjatë performancave të tyre. Rusja Averina Dina është vetëm 20 vjeç, por brenda 4 ditëve të para të ‘Lojërave Evropiane’ ka arritur të sigurojë plot 5 medalje, 3 prej të cilave janë ari.

Dina është kthyer në një fenomen të gjimnastikës ritmike dhe pritshmëritë ndaj saj sa vijnë e rriten. Në xhudo, kosovarja Majlinda Kelmendi tashmë thjesht sa konfirmon emrin e saj prej favorite në çdo kompeticion, por një yll i ri vjen nga Ukraina. Edhe pse 19 vjeçe, Daria Bilodid është kampione bote dhe Europe në peshën e saj, ndërsa në ‘Minsk 2019’ i siguroi vetes një medalje ari. Pjesëmarrja e Bilodid në ‘Lojërat Olimpike’ është tashmë e padiskutueshmë, ndërsa mosha e ukrainases premton për një të ardhme të madhe të saj në sportin e xhudos. Silvana Stanco ka arritur të grumbullojë 2 medalje ari për Italinë në qitjen me shotgun, por 26-vjeçarja me gjasa nuk do të ndalet me kaq. Stanco ka arritur të triumfojë në kategorinë e saj të preferuar duke thyer rekorde, ndërsa në ditët në vazhdim priten medalje edhe nga disiplina të tjera të sportit të qitjes. Rekordet e Stancos premtojnë shumë për Italinë sa i përket sukseseve në ‘Lojërat Olimpike’ vitin e ardhshëm.