‘Lojërat Evropiane’ janë një mundësi shumë e mirë që sportistët të fitojnë medalje dhe vlerësime të ndryshme. Gjithashtu të gjithë pjesëmarrësin do të kenë mundësinë të rrisin kuotat e tyre për të fituar një biletë për në ‘Lojërat Olimpike’ në Tokio vitin e ardhshëm. Madje në 8 sporte të ‘Minsk 2019’, atletët do të kenë mundësinë të sigurojnë direkt kualifikimin për në ‘Tokio 2020’. Në qitje, fituesit e 11 eventeve që do të mbahen në Minsk do të sigurojnë kalimin për ‘Lojërat Olimpike’. Shqipëria përfaqësohet në këtë disiplinë me 2 sportistë, Manuela Delilaj dhe Henri Rrufa. Gjithashtu, finalistët e tenisit të tavolinës do sigurojnë një biletë për në ‘Tokio 2020’. Kjo është një risi pasi në ‘Lojërat Evropiane’ të zhvilluara në Baku, vetëm fituesit e medaljes së artë të kësaj disipline arritën të shkonin në ‘Lojërat Olimpike’.
Ndërsa 6 sportet e tjera që të çojnë në Tokio do të kenë llogari më të komplikuara. Bëhet fjalë për disiplina si harku, atletika, karateja, çiklizmi, xhudo dhe badmintoni. Në këto sporte, finalistët e kategorive të ndryshme do të renditen sipas koeficentit që kanë në listën paraprake të ‘Lojërave Olimpike’, ndaj vetëm në fund do të bëhet një listë e saktë e sportistëve që do të sigurojnë kalimin në ‘Tokio 2020’. Në hark, Shqipëria përfaqësohet nga Jurgen Hoxha, në çikizëm nga Klidi Jaku, Ylber Sefa dhe Eugert Zhupa, ndërsa në xhudo nga Indrit Cullhaj.
Dy sportet që janë larguar nga skema kualifikuese për në ‘Lojërat Olimpike’ janë boksi dhe garat me kanoe. Boksi do të jetë pjesë e ‘Minsk 2019’ edhe si ‘Kampionati Evropinan, dhe ‘Komiteti Ndërkombëtar Olimpik’ e ka detyruar ‘Shoqërinë Ndërkombëtare të Boksit’ të organizojnë kualifikuese të tjera për në ‘Lojërat Olimpike’.