Zbuloni se kë lojëtar ka zgjedhur Manchester United si zëvendësues të Paul Pogba

Sport

Pavarësisht përpjekjeve të mëdha të trajnerit Solskjaer, e ardhmja e Paul Pogba duket se do të jetë larg Manchester United. Francezi ka dy mundësi të mira transferimi, tek Juventus dhe tek Real Madrid, ku janë të gatshëm të paguajnë pa problem më shumë se 100 milionë euro për shërbimet e tij. Për t’i paraprirë çdo gjëje, drejtuesit e skuadrës angleze kanë filluar të punojnë në merkato për të gjetur një mesfushor tjetër që do të marrë vendin e Pogba. Fillimisht u përfol për Christian Eriksen të Tottenham, por transferimi i danezit nga ‘Spurs’-at mbetet një mision shumë i ndërlikuar.

Në këtë mënyrë, përfaqësues të Manchester United kanë filluar kontaktet me Lazion për Milinkovic-Savic. Serbi me gjasa do të largohet nga lacialët gjatë kësaj vere nëse do të vijë një ofertë e mirë nga ndonjë klub i madh. Sipas raportimeve të fundit, Manchester United do të ofrojë plot 80 milionë euro për kartonin e 24-vjeçarit, propozim ky që mund të kënaqë kërkesat e presidentit Lotito. Ky i fundit mund të provojë të bëjë rezistencë, me shpresën se oferta për mesfushorin serb do të vijë në rritje. Vetë Milinkovic-Savic mund të jetë një faktor i rëndësishëm në këtë tratativë, pasi burime pranë familjes së tij konfirmojnë se lojtari kërkon të luajë në një ekip të madh në sezonin e ardhshëm dhe një rol prej lideri tek Manchester United do të ishte një hap gjigand për karrierën e mesfushorit serb.