Ende pa u hapur zyrtarisht merkato, Real Madrid ka konfirmuar afrimin e pestë për sezonin e ardhshëm. Madrilenët kanë zyrtarizuar marrëveshjen për mbrojtësin e krahut të majtë, Ferland Mendy, i cili do të transferohet nga Lyon për shifrën e 48 milionë eurove, plus 5 milionë të tjera në formë bonusesh. Francezi 24-vjeçar ishte prej kohësh në listën e objektivave të drejtuesve të ‘los blancos’, por vetëm tani është gjetur ‘gjuha e përbashkët’ me presidentin Aulas të Lyon. Mbrojtësi ka firmosur një kontratë që do ta mbajë të lidhur me klubin madrilen deri në vitin 2025, ndërsa nuk bëhet e ditur klauzola që do të ketë francezi në rast shitjeje.
Ferland Mendy do të jetë lojtari i pestë i ri që trajneri Zidane do të ketë në skuadër nga sezoni i ardhshëm. Më parë janë konfirmuar marrëveshjet për talentin brazilian 18-vjeçar, Rodrygo, i cili do të vijë nga Santos pasi u paguan 45 milionë euro për kartonin e tij. Eder Militao u ble nga Porto për 50 milionë euro, marrëveshje e konfirmuar që përpara mbylljes së sezonit që lamë pas. Ndërsa në fillim të këtij muaji, Reali zyrtarizoi edhe blerjet e Luka Jovic nga Frankfurt për 60 milionë euro dhe të Eden Hazard nga Chelsea, për shifrën e 100 milionë eurove. Pra plot 303 milionë euro të shpenzuara për 5 lojtarët e rinj që do të jenë nën urdhërat e Zidane pas pushimeve verore. Florentino Perez vijon të përmbushë premtimin e tij për një revolucion të skuadrës, ndërsa me merkaton që ende nuk është hapur zyrtarisht, mund të priten edhe surpriza të tjera.