Zbuloni se cili është lajtari që Giampaolo e do në skuadër

Sport

Ardhja e trajnerit Giampaolo dhe ndryshimi i skemës së Milanit në fushën e lojës mendohej se do të sillte probleme për një lojtar si Suso, që preferon të luajë në krah. Por në fakt ka rezultuar krejt e kundërta, pasi spanjolli ka bindur në rolin e fantazistit prapa sulmuesve gjatë miqësoreve të verës, madje është cilësuar shpesh si ndër më të mirët. Në sfidën e luajtur ndaj Manchester United në Cardiff, Suso bëri një paraqitje mjaft të mirë, të cilën trajneri Giampaolo e lavdëroi, duke shtuar se spanjolli është një lojtar klasi, i cili mund të jetë shumë i rëndësishëm për sezonin e Milanit të tij. Fjalë të qarta që kërkojnë qëndrimin e 25-vjeçarit, që gjithësesi vijon të ketë pozita të lëkundura.

Kjo vjen për shkak se drejtuesit kanë nevojë të shesin lojtarë për të financuar transferime të tjera, ku synimi kryesor mbetet Angel Correa i Atletico Madrid. Për Suson interes konkret ka shfaqur Lyoni, me presidentin Jean-Michel Aulas që pranoi se së bashku me drejtuesit e tjerë të klubit francez, po ndiqnin me kujdes situatën e spanjollit. Më 15 gusht skadon klauzola në kontratën e lojtarit që lejon Suson të largohet për 38 milionë euro, por vetëm për skuadrat jashtë Italisë. Pas kësaj date, Milani pretendon të shesë spanjollin mbi 40 milionë euro, por tek Lyon kërkojnë që ky çmim të ulet. Dy skuadrat kanë marrëdhënie të mira me njëra-tjetrën dhe gjetja e një marrëveshjeje ëshë e mundur. Megjithatë, trajneri i kuqezinjve vazhdon të bëjë bllokadën për shitjen e spanjollit, që me këmbënguljen e Giampaolos mund të largohet nga lista e shitjeve.