I cilësuar si një nga talentet më të mëdhenj të futbollit, Jadon Sancho vijon të jetë një nga lojtarët më të kërkuar nga skuadrat e mëdha. Pavarësisht kësaj, talenti anglez vendosi qëndrimin tek skuadra e Dortmund, i ndikuar sigurisht dhe nga dëshira e klubit gjerman për ta vendosur lojtarin në qendër të projektit të tyre. Sancho i është rikthyer pyetjeve për të ardhmen e tij, ku shpesh është lidhur me një transferim tek Manchester United. 19-vjeçari është shprehur se nuk ka patur bisedime të drejtëpërdrejta me asnjë skuadër, duke qenë se e kishte marrë vendimin për të vijuar me Dortmund, megjithatë ai pranoi se e ardhmja e tij nuk është e thënë të jetë vetëm në ‘Premier League’, siç është përfolur shpesh.
“Nuk e kam problem nëse luaj në ‘Premier’ apo ‘La Liga’. Kampionati spanjoll është i fortë dhe mjaft interesant. Nuk e di se ku do të luaj në të ardhmen, por sigurisht që do t’i marrë në shqyrtim të gjitha ofertat.”
Spekulimet që e lidhin lojtarin me një kalim në kampionatin spanjoll e kanë zanafillën nga një interes i Real Madrid për të firmosur me ish-lojtarin e Manchester City. Madrilenët thuhet se e shohin Sanchon si një nga lojtarët e së ardhmes, por për të arritur firmën me ty kanë hasur rezistencën e fortë të Borussia Dortmund. Jadon Sancho u bë pjesë e skuadrës verdhezi në vitin 2017, kur gjermanët shpenzuan 8 milionë euro për afrimin e tij nga akademia e Manchester City. Ndërsa vlera aktuale e 19-vjeçarit llogaritet në mbi 150 milionë euro.