Zbuloni se cilat janë skuadrat që kërkojnë Christian Eriksen në janar

Sport

Pas finales së sezonit të kaluar në ‘Champions League’, një nga yjet kryesore të Tottenham deklaroi se ishte vënë në kërkim të një aventure të re. Christian Eriksen dëshironte të vazhdonte karrierën e tij në një skuadër tjetër, prandaj të gjithë prisnin që gjatë kësaj vere të ndodhte edhe transferimi i tij. Mirëpo ‘Spurs’ nuk janë kënaqur nga ofertat që kanë ardhur për mesfushorin danez, i cili edhe pas përfundimit të merkatos e sheh veten në urdhrat e trajnerit Pochettino. Por emri i Eriksen me gjasa do të jetë më i rëndësishmi gjatë merkatos së ardhshme, në janar, periudhë kur atij do t’i mbeten vetëm 6 muaj të tjerë kontratë me Tottenham. Marrëveshja e lojtarit me klubin londinez skadon në fund të këtij sezoni dhe me shumë gjasa, ‘Spurs’-at do të shesin gjatë muajit janar, për të mos e humbur lojtarin me parametra zero në verën e vitit 2020. Për firmën e Eriksen duke se janë ngritur në këmbë të gjitha skuadrat e mëdha europiane.

Real Madrid, Juventus, PSG, Manchester United, Inter apo edhe Atletico Madrid janë të gatshme të bëjnë çdo gjë për të patur në radhët e tyre një lojtar klasi si Eriksen. Në janar, 27-vjeçari do të jetë i lirë të firmosë edhe një parakontratë për në fundin e sezonit, çfarë me gjasa ai do të përpiqet ta shfrytëzojë për të arkëtuar sa më shumë komisione. Me pak fjalë, për Eriksen do të ketë vërtet një ankand, pasi edhe përpjekjet e fundit të Tottenham për të rinovuar kontratën janë hedhur poshtë menjëherë nga ana e përfaqësuesve të lojtarit. Eriksen u bë pjesë e klubit londinez në verën e vitit 2013, kur u transferua nga Ajaksi për rreth 14 milionë euro. Vlera e tij aktuale llogaritet në mbi 85 milionë euro.