Zbuloni se çfarë ka ndodhur me Mishel Platini

Sport

 

Telashet nuk kanë të sosur për ish-presidentin e UEFA-s, Mishel Platini, i cili u arrestua të martën në Francë, për t’u liruar pas 15 orësh në mëngjesin e së mërkurës. Ish-futbollisti i njohur u ndalua nga policia e anti-korrupsionit në Paris, pasi akuzohej për pjesëmarrje të parregullt në blerjen e votave, sa i takon vendimit që Botërori i 2022-shit të zhvillohet në Katar. Sipas autoriteteve është zbuluar se vetëm përpara pak ditësh se të merrej vendimi mbi vendin organizator, Platini kishte takuar zyrtarë nga Katari në një hotel në Zvicër, ndërkohë që në vitin 2014 është takuar në fshehtësi edhe me zyrtarin Mohamed bin Haman, vetëm pak çaste para votimit.


Por vetë i ashtuquajturi “Le Roy” ka deklaruar pas lirimit se ishte i qetë sepse ka qenë tepër transparent në çdo pyetje që i bënë hetuesit. Natyrisht duke shtuar se akuzat janë tërësisht të pavërteta. Kurse avokatët e 63-vjeçarit pretendojnë se arrestimi i klientit të tyre ishte thjesht çështje ‘teknike’. Madje ai kishte dhënë një dëshmi edhe vitin e kaluar, por kësaj radhe u ftua vetëm të qartësonte disa pika.
Platini ka qenë në drejtimin e UEFA-s prej vitit 2007 deri në 2015, teksa më pas u pezullua nga Komisioni i Etikës në FIFA për një rryshfet që kishte marrë prej 1.8 milionë eurosh. Bashkë me të u largua edhe presidenti i FIFA-s Josep Blater, i cili njësoj si Platini, në atë kohë u konsideruan fajtorë për një sërë shkeljesh, që përfshinin edhe konfliktin e interesit.