Milani arriti të bëjë dy goditje të menjëhershme në merkato, pas nënshkrimit me mbrojtësin Leo Duarte nga Flamengo për 11 milionë euro dhe me sulmuesin Rafael Leao, i cili vjen nga Lille për 30 milionë euro. Por merkato e kuqezinjve nuk është mbyllur ende. Siç raportojnë mediat italiane, Milani po vijon bisedimet për transferimin e Angel Correa të Atletico Madrid. Edhe pse pak ditë më parë dukej se kjo lëvizje ishte thuajse e kryer, ditët e fundit ka patur ‘një ngërç’ në gjetjen e marrëveshjes. Kuqezinjtë për momentin nuk ofrojnë më shumë se 40 milionë euro për sulmuesin 24-vjeçar ndërsa Atletico kërkon 50 milionë.
Skuadra italiane shpreson që me kalimin e ditëve, Atletico të ulë pretendimet për lojtarin në fjalë, teksa kuqezinjtë janë duke punuar edhe në merkaton në dalje. Pas dështimit të transferimit tek Monaco, Andre Silva vijon të jetë me valixhet gati dhe agjenti i tij, Jorge Mendes po përpiqet të gjejë një skuadër që kënaq pretendimet e sulmuesit portugez. Nuk përjashtohet këtu edhe rihapja e negociatave me Monacon, pasi trajneri i monegaskëve, Leonardo Jardim e pëlqen shumë sulmuesin. Tek Milani drejt largimit shihet edhe Lucas Biglia. Për 33-vjeçarin interesohet Genoa, që po këmbëngul në gjetjen e një marrëveshjeje për t’u përforcuar me një lojtar me mjaft eksperiencë si mesfushori argjentinas.