Nga data 21 deri në 30 qershor, në ekranin e ‘Tring’ do të keni mundësi të ndiqni drejtëpërsëdrejti çdo sekondë të ‘Lojërave Olimpike Europiane’, që zhvillohen në Minsk të Bjellorusisë. Vetëm në edicionit e dytë të saj, ky event pritet me vëmendje të madhe për faktin se në 15 sportet në të cilat do garohet, 8 prej tyre u sigurojnë atletëve, kualifikimin për në ‘Lojërat Olimpike’ që do të zhvillohen në Tokio në vitin 2020. Plot 4000 atletë të disiplinave të ndryshme do të zbarkojnë në kryeqytetin bjellorus, të shoqëruar nga më shumë se 2000 trajnerë dhe delegatë të federatave përkatëse. Mes 15 sporteve, përfshihen disiplina si basketbolli, harku, badminton, kanoe, xhudo, mundja, çiklizmi, qitje, boksi, futbolli i plazhit, etj.
Shqipëria do të ketë mundësinë të përfaqësohet me 12 lojtarë. Vendi ynë synon medalje në boks, ku garojnë 5 sportistë; Alban Beqiri, Mikel Cullhaj, Krenar Zeneli, Arjon Kajoshi dhe Rexhildo Zeneli. Në xhudo, shpresat për medalje janë të mëdha tek Indrit Cullhaj, ndërsa në hark do të përfaqësohemi nga Jurgen Hoxha. Eugert Zhupa, Klidi Jaku dhe Ylber Sefa do të garojnë në çiklizëm, kurse Henri Rrufa në qitje. Në këtë disiplinë do të kemi edhe të vetmen përfaqësuese femër, Manuela Delilaj. Ndërsa në mundje, pritet një përfaqësim i mirë nga 21-vjeçari Eriglent Prizreni. Gjatë gjithë këtij kompeticioni, do të jetë në lojë plot 200 medalje, për të cilat do të garojnë sportistë nga plot 50 vende të ndryshme. Transmetimi ‘live’ i eventit në ‘Tring’ do të fillojë në orën 8 të mëngjesit të së premtes së 21 qershorit, ku do të ketë 3 kanale të dedikuara për të përcjellur çdo gjë që ndodh në Minsk.