Zbuloni më shumë nëse Lukaku do të shkojë te Inter

Sport

Trajneri i Interit, Antonio Conte duket se e ka bërë të qartë tek drejtuesit e klubit se kërkon 2 sulmuesë të rinj në skuadrën e tij dhe kjo dëshirë e teknikut 49-vjeçar do të plotësohet. Por raportimet e fundit në mediat italiane dhe angleze bëjnë me dije se Lukaku me shumë gjasa nuk do të mbërrijë në Milano. Pavarësisht dëshirës së sulmuesit belg për të kaluar tek Inter, ende nuk ka një akord me Manchester United, që nuk i ul pretendimet për kartonin e Lukakut. Kjo duket se ka bërë që zikaltërit të rikthehen tek dy emra të tjerë, të përfolur në fakt në fillim të merkatos verore.

Veç negociatave të vazhdueshme për Edin Dzekon, Inter do t’i japë përparërsi edhe tratativave për sulmuesin e ri të Lille, Rafael Leao. Portugezi 20-vjeçar zhvilloi sezonin e kaluar 24 ndeshje në ‘Ligue 1’ me skuadrën e Lille, ku ia doli të shënonte 8 gola e të shërbente 2 asiste. Leao gjithashtu ishte ndër lojtarët me më shumë duele të fituara në ajër, teksa paraqitjet e tij kanë fituar vëmendjen edhe të skuadrave të tjera të mëdha. Për lojtarin e formuar tek akademia e Sportingut të Lisbonës, Marotta është gati të mbyllë një marrëveshje për 40 milionë euro, ndonëse situata do të merret me qetësi nga ana e drejtuesve të Inter, pasi Lukaku mbetet prioritet për Antonio Conten. Në rast se Manchester United nuk do të ulë shifrën e kërkuar për belgun , atëherë Interi do të mbyllë shumë shpejt tratativat me 20-vjeçarin Leao të Lille.