Zbuloni detaje mbi arsyet pse Pogba nuk është larguar ende nga PSG si dhe qëndrimi i Neymar

Sport

Prapaskena mjaft interesante janë zbuluar nga mediat franceze dhe italiane rreth merkatos në hyrje të PSG. Kampionët e Francës shkëmbyen gjatë orëve të fundit portierin Areola me Keylor Navas të Real Madrid, si dhe u arrit huazimi me të drejtë blerje i Mauro Icardit nga Inter. Megjithatë, objektivi i vërtetë i drejtuesve francezë ka qenë transferimi i kampionit të botës, Paul Pogba. Burime pranë klubit francez kanë konfirmuar se PSG kishte gati jo vetëm ofertën që do të bindte Manchester United për ta lënë të lirë yllin e mesfushës, por edhe kontratën që do të kënaqte kërkesat jo të vogla Pogba. Por gjithçka është bllokuar dhe në skenë del sërish emri i brazilianit rebel të skuadrës, Neymar.

Pikërisht qëndrimi i këtij të fundit në ekipin e Thomas Tuchel ka prishur të gjitha planet e drejtuesve të kampionëve të Francës, pasi nuk mund të justifikojnë rrogat marrëmendëse të Pogba dhe Neymar njëkohësisht. Plani i PSG ishte që menjëherë pas largimit të Neymar, i cili vijon të këmbëngulë se kërkon të luajë me Barcelonën, kampionët e Francës do të finalizonin ofensivën për transferimin e Paul Pogba. Me shumë gjasa operacioni për largimin e Neymar drejt Barcelonës do të vazhdojë menjëhërë sapo të vijë merkato e janarit, por vështirë se tek Manchester United do të lejojnë Pogba të largohet nga skuadra në mesin e sezonit. Megjithatë tashmë planet e PSG duken të qarta. Sapo Neymar të largohet, skuadrës së Tuchel do t’i bashkohet një tjetër emër i madh dhe Paul Pogba është absolutisht objektivi kryesor.