Për të paktën një herë nuk arriti të shënojë, por Cristiano Ronaldo gjithsesi ia doli të ngrejë trofeun e radhës në karrierën e tij, atë të Nations League me Portugalinë. Numri 7 e dërgoi numrin e kupave të fituara në 30 (21 me klubet e Sporting Lisbona, Manchester United, Real Madrid e Juventus), brenda 17 vitesh. Pa llogaritur natyrisht pesë “Topat e Artë” që i ka marrë në nivel personal. Për më tepër, portugezi ka fituar edhe 21 nga 28 finale të luajtura. Statistika vërtet të jashtëzakonshme që e konfirmojnë si një nga më të mirët në botë. Megjithatë, 34 vjeçari nuk është ende mes lojtarëve më të suksesshëm. Ka 3 trofe më pak se Lionel Messi (ndryshe nga portugezi nuk ka trofe me kombëtaren) ndërkohë që është ende larg Dani Alvesit me 41 trofe të fituar në karrierë.
I pyetur nga gazetarët mbi fitoren e mundshme të “Topit të Artë” për këtë vit, ai është përgjigjur: “Ua lë juve të vlerësoni dhe gjykoni nëse e meritoj apo jo. Këtë vit kam fituar edhe 3 trofe të tjera dhe nuk e di nëse ndokush ka arritur më shumë. Nuk ekziston një periudhë ku unë mund të kem luajtur keq. Në 16 vjet, shifrat flasin vetë. Ndërsa ajo që thonë njerëzit nuk më intereson aspak!”. Mbi suksesin e Kombëtares së tij edhe në edicionin e parë të Nations League, pas shpalljes kampione në Euro 2016-të, CR7 ka pranuar se ka cikle për çdo skuadër dhe sigurisht që nuk mund të fitohet përherë. Mirëpo, sipas tij, që pas fitimit të Evropianit, kjo Portugali është duke pasur një ecuri pozitive dhe po e bën të gjithë vendin krenar me fitoret e saj. Megjithëse ka ende potencial për të fituar trofe të tjerë. Ashtu si vetë Cristiano, që nuk ka ndërmend të ndalet.