Përgjithësisht ka qenë një start pozitiv për lojtarët shqiptarë që aktivizohen në Serinë A. Plot 5 kanë zbritur në fushë si titullar, përfshi edhe kosovarin Amir Rrahmani. Më interes pati “derbi” që vendoste përballë Etrit Berishën dhe Berat Gjimshitin, me portierin kuqezi i cili luante që në ndeshjen e parë të kampionatit kundër Atalantës, skuadrës nga ku u transferua te Spal gjatë merkatos verore. Gjatë pjesës së parë u krijua përshtypja se do të vinte një fitore befasuese e vendasëve që fiksuan një avantazh të dyfishtë me golat e Di Francesco dhe Petanja. Mirëpo gjithcka u përmbys në të dytën, veçanërisht me hyrjen në fushë të Muriel për Atalantën, i cili u bë autor i dy golave në të cilët nuk ishte pa faj as Berisha. Si përfundim, beragamaskët arritën të fitojnë 3-2 në një ndeshje ku Gjimshiti qendroi në fushë për 90 minuta, duke bërë një paraqitje tepër pozitive.
Befasia më e madhe erdhi në Verona, aty ku trajneri Juric i besoi në mbrojtje nga fillimi jo vetëm Amir Rrahmanit, të transferuar gjatë verës nga Dinamo e Zagrebit, por edhe 19-vjecarit shqiptar, Marash Kumbulla. Dhe të dy kanë qenë debutues, duke kontribuar që skuadra e sapongjitur në Serinë A të marrë një barazim të vyer 1-1 ndaj Bolonjës, edhe pse për më shumë se 75 minuta veronezët kanë luajtur me 10 lojtarë si pasojë e kartonit të kuq të mbrojtësit Davidovish. Mediat italiane kanë vlerësuar pozitivisht paraqitjen e bërë nga dy shqiptarët, e sidomos Kumbullën. Ai ka marrë notën 7, duke u konsideruar si lojtar që udhëhoqi mbrojtjen, sikur të kishte vite që luante në Serinë A. Kurse Rrahmani ka marrë 6.5, me motivacionin se “nga tre futbollistët në mbrojtje, ishte ai që transmetonte më shumë siguri e vazhdueshmëri. Duke pasur një impakt pozitiv në Serinë A.
Ai që doli më i fituar nga fundjava e parë e Serisë A ishte Thomas Strakosha, Lacio e të cilit mori një sukses bindës 0-3 në fushën e Sampdorias. Portieri i Kombëtares pati fare pak punë, gjithsesi në momentet që u desh të ndërhynte, u tregua gjithmonë i saktë, duke kontribuar kështu me mënyrën e tij në fitoren e parë të bardhekaltërve që kanë dhënë sinjalin e fortë se mund të jenë rivalë seriozë në këtë kampionat.