Ashtu siç ishte përfolur prej kohësh, Nicolas Pepe do të jetë nga sezoni i ardhshëm një lojtar i Arsenal. Talenti nga Bregu i Fildishtë është blerja e katërt e kësaj merkatoje verore për klubin londinez, që zyrtarizoi marrëveshjen me Lille nëpërmjet rrjeteve sociale. Pepe ishte një nga emrat më të lakuar në tregun e transferimeve, pas një sezoni të shkëlqyer që 24-vjeçari zhvilloi me skuadrën franceze në ‘Ligue 1’. Shumë skuadra të mëdha kërkonin të nënshkruanin me Pepe, por Arsenali shfrytëzoi marrëdhëniet e mira me drejtuesit e Lille për të finalizuar marrëveshjen për sulmuesin.
Nicolas Pepe u bë blerja më e shtrenjtë e historisë së Arsenalit, pasi i kushtoi arkave të klubit londinez plot 80 milionë euro, duke thyer rekordin e transferimit të Aubameyang për 65 milionë euro nga Dortmund në 2018-ën. Sa i përket përforcimeve në sulm, Arsenali provoi më herët gjatë verës të nënshkruante me Wilfried Zaha, por kërkesat e larta të Crystal Palace për kartonin e sulmuesit bënë që Arsenali të zhvendosej tek pista ‘Pepe’. Sezonin e kaluar, Nicolas Pepe zhvilloi 41 ndeshje në të gjitha kompeticionet me skuadrën e Lille, ku realizoi 23 gola dhe shërbeu 12 asiste. 24-vjeçari ka qenë padyshim një nga faktorët kyç për arritjen e vendit të dytë nga ana e Lille, çfarë i siguroi skuadrës franceze edhe pjesëmarrjen në ‘Champions League’. Transferimi i tij ka sjellë mjaft entuziasëm në kampin e Arsenalit, që këtë vit nuk duan ta diskutojnë prezencën mes 4 më të mirave në Angli.