Në shpalljen e Luka Modric si fitues i “Topit të Artë” për vitin 2018, patën një farë ndikimimi edhe votat e ardhura nga Shqipëria dhe Kosova, përmes gazetarëve që kanë të drejtë për të dhënë vlerësimin e tyre, që u bashkua me atë të 176 kolegëve të shteteve nga e gjithë bota. Ylli kroat, pas fitimit të Ligës së Kampionëve me Real Madridin dhe finales së luajtur në Botërorin ‘Rusia 2018’, mori numrim më të madh të votave në mbrëmjen gala të organizuar të hënën nga “France Football”. Saktësisht, Modric mblodhi 753 pikë, duke pasur avantazh të ndjeshëm kundrejt vendit të dytë, ku u rendit Cristiano Ronaldo me 476 pikë, si dhe dhe Griezmannit, që ishte i treti me 414 pikë.
Konkretisht nga Shqipëria votoi gazetari i njohur, Besnik Dizdari, i cili befasoi paksa me vendin e parë, përderisa pikët maksimale të tij i shkuan Antuan Griezmanit. Ndërsa në katër pozicionet e tjera, ai preferoi të vendoste Modriçin, Ronaldon, Messin dhe Mbappe’. Kurse sa i takon Kosovës, të drejtë votimi kishte gazetari Bajram Shala i RTV 21. Ai me gjashtë pikë në vendin e parë renditi Modricin, kurse më tej vinin Kylian Mbappe (4 pikë), Cristiano Ronaldo (3 pikë), Raphael Varane (2 pikë) dhe Antuan Griezman (1 pikë) në vendin e pestë.