Vazhdon të përparojë si portier titilluar në Kupat e Evropës me Atalantën, mirëpo as zërat e merkatos nuk e lënë të qetë Etrit Berishën. Sidomos raportimet që vijnë nga Franca vijojnë ta vendosin shtatlartin e portës së Shqipërisë në merkatos. Prej kohësh, gardiani i Atalantës tashmë është në ‘orbitën’ e francezëve të Lille. Skuadra që militon në Ligue 1 ka si qëllim të afrojë një portier me përvojë, për të siguruar katërkëndëshin për sezonin e ri. Dhe alternativa kryesore është 29-vjeçari i Kombëtares shqiptare.
Mirëpo, sipas lajmeve që vijnë së fundi nga Franca, Berisha dhe Lille nuk duken aq pranë sa ishin pak javë më parë.
Kjo, duke parë që skuadra franceze duket se ka rihapur negociatat me portierin 36-vjeçar transalpin Cedric Carrasso, pasi negociatat me Atalantën për Berishën janë vështirësuar, përderisa klubi bergamask kërkon 7 milion euro, kurse Lille nuk ofron më tepër se 5. Për më tepër, ‘gardiani’ me përvojë që ka luajtur me Bordo, zotëron edhe avantazhin që njeh mirë një kampionat si Ligue 1. Gjë që e bën që drejtuesit e Lilë t’i japin prioritet, në krahasim me Berishëën. Sidoqoftë, mediat franceze gjatë orëve të fundit kanë raportuar se nga momenti në moment pritet të ketë zhvillime. Por aktualisht mund të thuhet se e ardhmja e Berishës është më shumë në Bergamo, sesa në Francë.